Fan Noli (Albanian Edition)
Product Description
Fan Noli (Albanian Edition)
Emri i Fan Nolit, Theofan Stilian Noli, është lidhur me gjithë kulturën e re shqiptare të shekullit te kaluar. Për fat të keq si shumë artistë të mëdhenj shqiptarë, ai lindi dhe vdiq larg atdheut. Por midis këtyre dy datave zemra e tij e madhe rrahu vetëm për Shqipërinë, shpirti i tij krijoi gjëra madhështore që e lartësuan dinjitetin e shqiptarit, kurse në veprimtarinë energjike të përditshme iu përkushtua pavarësisë e tërësisë tokësore të atdheut dhe sidomos demokratizimit të jetës shqiptare. Vendlindja, Ibrik-tepeja ose Qyteza, një fshat shqiptar në Traki, afër Adrianopojës, si dhe disa fshatra të tjera afër tij ishin për Nolin nga mënyra e jetesës, zakonet e temperamenti, si një copëz e shkëputur nga Shqipëria. Aty shpirti i tij thithi të pastër botën shqiptare, kulturën e gjerë popullore, mori informacionin e parë për historinë e Shqipërisë e jetën e kryetrimit Skënderbe. Krijimtaria poetike e Nolit është ndër gjërat më të fuqishme, më të thella e më tronditëse të letërsisë shqiptare. Vargjet e tij përshkohen nga një filozofi e thellë humaniste dhe janë demaskuese të një bote të vjetër, të mykur ku mbretërojnë intrigat, prapaskenat, krimi e shfrytëzimi, po njëkohësisht prej tyre shpërthejnë idealet e përparuara demokratike, optimizmi se gjithçka që i ka kaluar koha do të përmbyset. Krijimtaria poetike e Nolit u përmblodh për herë të parë nga shkrimtari dhe kritiku ynë i shquar Mitrush Kuteli, më 1948 kjo veprimtari u botua nga federata "Vatra" në Amerikë, në përmbledhjen "Albumi". Më vonë Noli botoi edhe disa poezi të tjera si "Sulltani dhe kabineti" etj. Poezia noliane është një poezi novatore, sepse pasqyron idealet më përparimtare të shoqërisë shqiptare të viteve 20-30, idealet më demokratike, me një forcë artistike të jashtëzakonshme e me një formë origjinale. Shprehja poetike e tij përbëhet nga një mendim sintezë liroko-epik, plot duf e sulm me ritme kumbuese të protestës. Ritmi i marshit i jep kësaj poezie gjallëri të vazhdueshme e tone optimiste. Në vargjet e Nolit realizmi është gërshetuar me frymën romantike të ëndrrës e të shpresës, po aq ngushtë sa është gërshetuar edhe ideja e kryengritjes, e luftës për liri shoqërore me tolerancën shoqërore e lirinë e individit Noli ndoqi modelet poetike klasike, por pati një ndikim të ndjeshëm nga poezia popullore. Në poezinë e tij figuracioni popullor i shkrirë në zjarrin e frymëzimit dhe me frazeologjinë e zgjedhur e të pasur të gjuhës së folur ka sjellë vargje me një forcë të jashtëzakonshme shprehëse. Duke përdorur me mjeshtëri figura si epiteti, antiteza, alegoria etj., ai portretizon me art personalitete reale historike të jetës shqiptare. Krahas veprave të shquara ideoartistike, poezia e Nolit dallohet si model i masës dhe përpjesëtimit, gjë që ndihet edhe në prozën e tij të rrjedhshme, koncize, me një kompozicion të saktë. Noli përdori fondin e pasur të gjuhës shqipe, duke aktivizuar edhe fjalë të vjetra e duke krijuar të reja, si dhe duke futur në funksion edhe fjalë të huaja, ndaj themi se është ndër pasuruesit më të shquar të gjuhës sonë.

